Autoritetet shqiptare të rendit po ndërmarrin hapa konkretë për të përmirësuar sigurinë rrugore, me synimin afatgjatë për të arritur në një nivel aksidentesh pa viktima.

Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, deklaroi se vendi po ecën drejt përmirësimeve të mëdha në fushën e sigurisë rrugore. Një qendër kombëtare për monitorimin e trafikut është hapur për të rritur evidentimin e shkeljeve dhe për të ndërgjegjësuar drejtuesit e mjeteve mbi zbatimin e rregullave.
Gjatë një interviste televizive , Qato përmendi uljen e ndjeshme të aksidenteve me pasoja krahasuar me një dekadë më parë dhe theksoi se synimi përfundimtar është zero viktima në rrugë, në përputhje me objektivat afatgjata të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ai tha se rreth 26-27% e aksidenteve shkaktohen nga tejkalimi i shpejtësisë, duke nënvizuar rëndësinë e përcaktimit të qartë të kufijve të lejuar në çdo segment rrugor dhe aplikimin strikt të ndëshkimeve për shkelësit.
Strategjia për sigurinë rrugore përfshin bashkëpunimin me aktorë të tjerë të fushës, përmirësimin e infrastrukturës dhe përdorimin e teknologjive të reja për mbikëqyrje dhe edukim rrugor.