
Shqipëria pritet të hapë të gjithë kapitujt e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda muajit qershor, tha Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, gjatë prezantimit të një marrëveshjeje të re financimi me Komisionin Europian.
Në një fazë që e cilësoi vendimtare për integrimin europian, Balla tha se vendi synon të përmbyllë të gjithë kapitujt deri në Krishtlindjet e vitit 2027, ndërsa vlerësoi mbështetjen financiare nga BE për reformat strukturore. Programi operacional për ekonominë dhe shoqërinë digjitale, i cili do të financohet me 44 milionë euro, do të fokusohet në digjitalizimin e arsimit, shëndetësisë, administratës dhe sigurisë kibernetike.
Në arsim, qeveria synon pajisjen e mbi 5.500 mësuesve me laptopë dhe ndërtimin e mbi 650 laboratorëve TIK në shkollat parauniversitare. Në shëndetësi, do të krijohet një regjistër elektronik për të dhënat mjekësore të qytetarëve dhe një sistem i integruar radiologjie me mbështetje të inteligjencës artificiale. Në sistemin fiskal, synohet ndërveprimi i platformave shqiptare me ato të BE-së.
Balla theksoi se kjo qasje strategjike do të forcojë aftësinë e Shqipërisë për të përmbushur standardet europiane dhe për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit.