
Me ligj të miratuar së fundmi, 27 Qershori është shpallur në kalendarin kombëtar të Shqipërisë si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
Në këtë ditë përkujtimore, në mbarë vendin u organizuan disa aktivitete me karakter historik dhe simbolik. Nën kujdesin e Bashkisë së Konispolit, u mbajt një ceremoni në varrezat monumentale të Kllogjerit me titullin simbolik “Trëndafilat e Çamërisë”. Një tjetër aktivitet u zhvillua nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Shoqata Patriotike Çamëria – Dega Sarandë, me titullin domethënës “Heshtja vret”. Në këtë aktivitet u dëgjuan dëshmi nga të mbijetuar të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Në përkujtim të kësaj dite, morën pjesë zyrtarë të lartë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të organizatave shoqërore dhe historike, të cilët përcollën mesazhe nderimi dhe reflektimi për viktimat dhe trashëgiminë historike të kësaj tragjedie.
Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë nisën pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe kulmuan në fund të Luftës së Dytë Botërore. Nga qershori 1944 deri në mars 1945, forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës kryen një fushatë sistematike dhune ndaj popullsisë shqiptare myslimane në Çamëri. Mijëra civilë të pafajshëm – burra, gra, fëmijë dhe të moshuar – u vranë, ndërsa mijëra të tjerë u dëbuan, u grabitën dhe iu konfiskuan pronat.
Sipas të dhënave të historianëve dhe dëshmive të vetë komunitetit çam, rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë u vranë dhe mbi 35 mijë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, duke u strehuar kryesisht në Shqipëri si refugjatë.
Për shqiptarët, kjo datë mbetet një simbol i kujtesës kolektive, një thirrje për drejtësi dhe njohje ndërkombëtare të dhimbjes historike të popullit çam.