Shqipëria përfshiu për herë të parë dronët Bajraktar në një operacion të simuluar detar gjatë stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 25” në ujërat e Durrësit, duke demonstruar aftësitë e saj të reja të mbikëqyrjes ajrore dhe ndërhyrjes së koordinuar.

Në një operacion stërvitor 6 milje larg portit të Durrësit, forcat detare dhe ajrore shqiptare dhe amerikane simuluan ndalimin e një anijeje të dyshuar që largohej nga ujërat territoriale. Anijet “Lissus”, “Oriku” dhe “Semani” të flotës shqiptare, bashkë me dy anije amerikane dhe helikopterë “Cougar”, u koordinuan në ndërhyrjen nga deti dhe ajri.
Shqipëria angazhoi për herë të parë dronët Bajraktar për mbikëqyrje në kohë reale të skenarit. Pamjet u transmetuan drejt e në Komandën e Brigadës në Zall-Herr, duke rritur ndërveprimin operacional mes njësive.
Forcat speciale zbarkuan mbi anijen objektiv, duke demonstruar bashkëpunimin mes trupave të ndryshme dhe përgatitjen për operacione të ndërlikuara ndërkombëtare.