
Pas tërmetit me magnitudë 4.4 që goditi zonën e Niklës në orët e para të mëngjesit të së martës, ekspertët e Institutit të Gjeoshkencës theksuan se fenomeni ishte i pazakontë për Tiranën për shkak të afërsisë dhe thellësisë së epiqendrës me zonat urbane.
Sizmologu Damiano Koxhaj deklaroi se aktiviteti sizmik në këtë zonë kishte nisur që më 6 qershor, me 27 paragoditje të regjistruara përpara goditjes së sotme. “Jemi ende në proces analize për të përcaktuar nëse lëkundja e mëngjesit ishte kryesorja,” tha ai.
Shqipëria cilësohet si vend me aktivitet sizmik të moderuar deri të lartë, por afërsia e këtij tërmeti me kryeqytetin e bën atë “pak të veçantë”, sipas ekspertëve. “Është një fenomen i zakonshëm për territorin, por për Tiranën është një event për shkak të distancës së shkurtër,” shtoi Koxhaj.
Ekspertët vlerësojnë se prania e pasgoditjeve është shenjë pozitive dhe nuk ka vend për panik. “Frekuenca dhe magnituda e pasgoditjeve tregon se situata po shkon drejt stabilizimit,” u shpreh Koxhaj.