
Në mbi 30 qytete të Serbisë, mijëra qytetarë dolën në protesta të organizuara nga studentët, të cilët prej muajsh po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Demonstratat u mbajtën saktësisht shtatë muaj pas shembjes së një strehë në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ngjarje që mori jetën e 16 personave dhe la një të plagosur rëndë.
Në Beograd, protestuesit bllokuan dy ura kryesore – Gazelën dhe Urën e Brankos – duke brohoritur “Duam drejtësi, duam të vërtetën, duam zgjedhje”. Ngjarje të ngjashme u zhvilluan në Novi Sad, ku studentët theksuan rëndësinë e mbikëqyrjes së pushtetit dhe kërkuan mbajtjen e përgjegjësisë për viktimat e tragjedisë.
Në Pozharevc, protesta zgjati për 13 orë dhe u mbështet nga qytetarë nga qytete të tjera, me pjesëmarrës që kishin udhëtuar në këmbë për t’iu bashkuar.
Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabic, i quajti protestat “një protestë e pakuptimtë dhe pa qëllim të përcaktuar”, ndërsa presidenti Vuçic deklaroi më herët se zgjedhjet do të mbahen brenda një viti e gjysmë. Megjithatë, studentët këmbëngulin se kërkesat e tyre nuk janë përmbushur dhe se protestat do të vazhdojnë.
Këto lëvizje, që gëzojnë mbështetje të gjerë publike, shihen si një sinjal i qartë i pakënaqësisë së qytetarëve me qeverisjen dhe korrupsionin e perceptuar në institucionet shtetërore.