
Tiranë – Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka hedhur poshtë zërat që pretendojnë se ka marrë mbështetje nga Partia Socialiste apo interesat e lidhura me qeverinë në zgjedhjet e 11 majit.
Në një intervistë për Klan News, Tabaku reagoi ndaj akuzave të përsëritura nga figura të opozitës si Adriana Kalaja, duke i cilësuar si “teori konspirative”. Ajo theksoi se votat e saj janë “bio” dhe tërësisht të ardhura nga elektorati demokrat.
“Janë mbi 20 mijë vota demokratësh që më kanë mbështetur mua dhe Partinë Demokratike. Janë vota që kanë shkuar në thesin e PD-së dhe nuk ka asnjë bazë për spekulime të tilla”, u shpreh Tabaku.
Ajo ishte kandidatja e vetme e PD-së në Tiranë që fitoi mandat nga listat e hapura, me 20,586 vota preferenciale.