
Konflikti mes Izraelit dhe Iranit është përshkallëzuar gjatë natës, me pasoja të rënda për civilët dhe objektet strategjike në të dyja vendet.
Mediat izraelite raportuan se të paktën tetë persona janë vrarë dhe rreth 200 janë plagosur pas një vale të re sulmesh me raketa nga Irani. Shërbimi izraelit i shpëtimit “Magen David Adom” tha se një ndërtesë banimi në qytetin Bat Yam u godit, duke shkaktuar vdekjen e dy fëmijëve dhe dy të rriturve.
Raportime për dëme ka pasur edhe në Tel Aviv dhe Jerusalem.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kanë kryer një seri sulmesh ajrore në Teheran, duke shënjestruar objektiva që lidhen me programin bërthamor iranian, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe një qendër kërkimi bërthamor.
Që prej fillimit të shkëmbimeve ajrore të premten, dhjetëra persona janë raportuar të vrarë në Iran. Ky i fundit e ka quajtur sulmin “shpallje lufte” dhe ka lëshuar qindra raketa e dronë drejt Izraelit.