
Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe ka sjellë një tjetër rezultat konkret në luftën kundër krimit të organizuar. Tre shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë.
Operacioni ndërkombëtar “The Wanted”, i realizuar përmes koordinimit të strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit, Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, çoi në lokalizimin dhe arrestimin e E. D. (38), M. K. (39) dhe A. Xh. (40).
Të tre janë të akuzuar për vepra penale të rënda si vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorit të krimit, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Me të mbërritur në Shqipëri, ata u dorëzuan autoriteteve për zbatimin e vendimeve gjyqësore përkatëse.