
Odessa – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë që nga nisja e luftës, se vendi i tij nuk ka ndërmarrë asnjë hap kundër Rusisë dhe po ruan një politikë të neutralitetit.
Gjatë Samitit Ukrainë – Evropa Juglindore në Odessa, Vuçiç nuk pranoi të nënshkruajë deklaratën e përbashkët që dënon agresionin rus dhe kërkon sanksione ndaj Moskës. Ai tha se Serbia nuk e mbështet automatikisht çdo qëndrim kundër Rusisë dhe theksoi se nuk është përballur me presion për ta firmosur dokumentin.
Pavarësisht mospërfshirjes në deklaratë, presidenti serb shprehu mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës dhe falënderoi presidentin Volodymyr Zelensky për qëndrimin e tij ndaj territorit të Serbisë. Vuçiç propozoi që Serbia të ndihmojë në rindërtimin e qyteteve të shkatërruara nga lufta.
Presidenti Zelensky e vlerësoi pjesëmarrjen e Vuçiçit në samit si një sinjal të rëndësishëm politik dhe u shpreh mirënjohës për ofertën e bashkëpunimit në rindërtim.
Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë që nga fillimi i agresionit në Ukrainë dhe ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën. Megjithatë, autoritetet serbe kanë mohuar pretendimet se po furnizojnë Kievin me armë dhe kanë premtuar se do të ndërpresin kontratat nëse ekziston rreziku që armatimi të përfundojë në frontin ukrainas.