
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, po merret në pyetje nga Prokuroria Speciale lidhur me hetimet për dhënien me qira të një fabrike për mbetje shtazore në Drenas, ndërtuar me fondet publike. Ende nuk dihet nëse Bislimi është dëshmitar apo i dyshuar.
Fabrika, me kosto 7.7 milionë euro, iu dha me qira për 20 vjet kompanisë LIP KS & IT SH.P.K., e regjistruar vetëm pesë ditë pas shpalljes së thirrjes. Dyshohet se kompania nuk përmbushi kriteret ligjore për përvojë dhe kapacitet.
Hetimet përfshijnë edhe ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, dhe kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit, Bekim Hoxha, të cilët tashmë janë intervistuar si të dyshuar. PDK ka akuzuar për shkelje të Ligjit për Pronën Publike dhe mungesë ankandi publik.