
Srebrenicë, 11 korrik 2025 – Sot shënohet 30-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, një nga tragjeditë më të rënda të Evropës moderne, ku në korrik 1995 u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë nga forcat serbe të Bosnjës.
OKB ka shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Vrasjet u kryen pas pushtimit të qytetit nga ushtria e Republikës Srpska, megjithëse Srebrenica ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Përveç viktimave, mijëra gra, fëmijë dhe të moshuar u zhvendosën me forcë. Masakra u njoh zyrtarisht si akt gjenocidi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata për ish-Jugosllavinë.
Lufta në Bosnje (1992–1995) shkaktoi mbi 100 mijë të vdekur dhe zhvendosi më shumë se 2 milionë njerëz. Srebrenica mbetet simboli më i errët i asaj tragjedie.