
Një alarm për bombë detyroi autoritetet e sigurisë në Kosovë të evakuojnë ndërtesën e Kuvendit të shtunën paradite, pak para nisjes së seancës konstituive. Deputetë, media dhe të pranishëm të tjerë u larguan me urdhër të policisë pas një telefonate kërcënuese në gjuhën angleze, që paralajmëronte shpërthimin e një bombe brenda 10 minutash.
Kontrollet e Njësisë Anti-bombë u zhvilluan në ndërtesë dhe në oborrin përreth, përfshirë automjetet. Pas verifikimeve, Kuvendi njoftoi se seanca do të mbahet në orën 20:00.
Kjo ndodhi në një klimë të tensionuar politike, ndërsa Kosova përpiqet për herë të 42-të që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit të konstituojë Kuvendin. Mungesa e pajtimit politik për emrin e kryeparlamentarit ka bllokuar procesin, ndërkohë që afati kushtetues prej 30 ditësh po shkon drejt fundit.