
Tiranë, 14 korrik 2025 – Kryeministri Edi Rama ka dhënë urdhër për ndalimin e shitjes së qumështit dhe produkteve blegtorale pa faturë tatimore, duke synuar formalizimin e ekonomisë bujqësore dhe forcimin e sigurisë ushqimore.
Masa synon t’i japë fund tregtimit të produkteve shtazore në trotuare dhe të vendosë gjurmueshmëri për çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, nga ferma deri te konsumatori. “Faturimi i çmimit të blerjes dhe shitjes është mënyra e vetme për të kontrolluar tregun,” deklaroi pedagogu Fatmir Guri.
Procesi mbetet teknikisht i paqartë, veçanërisht për shitësit ambulantë dhe fermerët e vegjël që operojnë jashtë sistemit fiskal. Shqipëria vijon të ketë të ndaluar eksportin e produkteve me origjinë shtazore drejt BE-së, përveç peshkut dhe vezëve teknike.
Siguria ushqimore mbetet një nga kapitujt kyç për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.