
Nga sot, Danimarka merr presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe paralajmëron një linjë të fortë kundër emigracionit. Kryeministrja Mette Frederiksen dhe ministrja për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, kanë vendosur qartazi prioritetin: kontroll absolut mbi flukset e azilit dhe kufizimin e ndikimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi vendimmarrjet e shteteve.
“Evropa nuk është e sigurt nëse nuk kontrollon flukset,” deklaroi Bjerre. Frederiksen kërkon zhvendosjen e procesit të azilit jashtë BE-së – siç u propozua më parë me Ruandën – dhe rihapjen e debatit për kompetencat e GJEDNJ-së mbi çështjet e migracionit.
Danimarka ka regjistruar një rritje të popullsisë me origjinë të huaj nga 3.3% në vitin 1985 në 16.3% në 2025, por numrin e aplikimeve për azil e ka reduktuar në minimum: vetëm 860 në vitin 2024. Politikat për kthim të shpejtë dhe mbrojtje të përkohshme mbeten baza e qasjes së saj.
Bashkë me Italinë dhe shtatë vende të tjera, Danimarka kërkon “riinterpretim” të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar se sistemi aktual mbron shpesh “njerëzit e gabuar”. Për qeverinë Frederiksen, modeli danez – minimal azil, kthim i shpejtë dhe kontroll i rreptë – është rruga që duhet ndjekur në të gjithë BE-në.