
Dhoma e Avokatisë në Shqipëri ka reaguar ashpër ndaj draftit të Kodit të ri Penal, duke e cilësuar atë si “represiv” dhe në kundërshtim të hapur me standardet e legjislacionit penal evropian.
Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, në një deklaratë për mediat, tha se ky draft nuk reflekton një nevojë reale për sistemin e drejtësisë dhe është përgatitur pa konsultim me aktorët kryesorë.
“Ky draft nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë. Nëse mendohet se ky Kod do të pranohet nga Evropa, është gabim. Ai është inkuizitor, me dispozita marramendëse dhe dënime të tepruara,” – u shpreh Haxhia.
Sipas tij, disa nga dënimet e propozuara janë më të ashpra se ato të kohës së diktaturës, ndërsa vetë procesi i hartimit të kodit është i paqartë dhe mungon transparenca mbi autorët dhe qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Kodi Penal nuk mund të ndryshohet sa herë del një problem. Ky draft duhet të diskutohet gjerësisht me aktorët e drejtësisë dhe të udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë,” shtoi ai.
Dhoma e Avokatisë ka paralajmëruar kundërshtim të fortë për të penguar miratimin e këtij drafti në formën aktuale.