
FIER, 8 korrik – Gjykata e Fierit vendosi sot lirimin me kusht të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji, pasi ky i fundit ka përfunduar 2/3 e dënimit me burg për kallëzim të rremë në çështjen “Babale”.
Vendimi vjen pas dakordësisë së prokurorit Genc Mane dhe raportit pozitiv të Shërbimit të Provës. Salianji, i pranishëm në seancë, pritet të dalë në konferencë për shtyp në selinë e PD në orën 17:00.
Avokati i tij, Ledio Braho, e cilësoi arrestimin si politik dhe procesin “tërësisht të padrejtë”. Salianji ishte dënuar me 1 vit burg në shtator 2024 nga Gjykata e Apelit, pas vendimit të formës së prerë për publikimin e materialeve të falsifikuara për trafik droge, që implikonin vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ai vuajti dënimin në burgun e Fierit që nga tetori i vitit të kaluar.