
Opozita greke ka ngritur sot akuza të forta për abuzime në përdorimin e granteve të Bashkimit Europian në bujqësi, duke e cilësuar menaxhimin si “abuziv” dhe “të dëmshëm për transparencën”.
Fokusi i debatit është Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO), e cila po heton dhjetëra raste në Greqi, përfshirë edhe çështjen e njohur “OPEKEPE”. Sipas të dhënave të vitit 2024, EPPO ka aktualisht 2,666 raste aktive në 24 vende të BE-së. Nga këto, 84 janë në Greqi dhe vetëm 25 lidhen drejtpërdrejt me programet bujqësore.
Qeveria greke reagoi menjëherë, duke theksuar se numri i rasteve në Greqi është dukshëm më i ulët krahasuar me vende si Italia (764 raste, 117 në bujqësi), Rumania (380 raste, 67 në bujqësi), Gjermania dhe Bullgaria. Edhe Luksemburgu ka 18 hetime në vazhdim.
EPPO e konsideron sektorin e bujqësisë si një nga më të cenueshmit ndaj abuzimeve në të gjithë BE-në, duke theksuar dobësitë strukturore të Politikës së Përbashkët Bujqësore dhe nevojën për monitorim të rreptë në shpërndarjen e fondeve.