
Shkodër, 12 korrik 2025 – Pas përplasjeve mes banorëve dhe autoriteteve në Theth për ndërtimet pa leje, Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Xhovani Peraxhine, ka dalë me një deklaratë publike, duke kërkuar ruajtjen e qetësisë, refuzimin e dhunës dhe respektimin e ligjit.
Në deklaratë, Peraxhine thekson se Kisha Katolike është gjithmonë në anën e paqes dhe të arsyes, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin dhe të angazhohen për dialog.
“Dënojmë me vendosmëri të gjitha format e dhunës, nga cilado palë që të vijë ajo. Respekti për ligjin dhe drejtësinë është një detyrë thelbësore për të gjithë,” thuhet në deklaratë.
Ai nënvizon gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit si “një dhuratë e çmuar nga Zoti”, por edhe të drejtës së qytetarëve për një jetë me dinjitet dhe përpjekjet për një të ardhme më të mirë.
“Lutemi me zemër që kjo situatë të marrë zgjidhje sa më të shpejtë,” përfundon deklarata e Arqipeshkvit.