
Shqipëria po përgatitet për një Kod të ri Penal pas gati 30 vitesh. Drafti i prezantuar sot synon të përshtatet me zhvillimet shoqërore, reformat në drejtësi dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Kodi aktual, i miratuar në vitin 1995, ka pësuar mbi 30 ndryshime dhe është bërë i fragmentuar, me mbi 40 nene dhe 200 paragrafë të shtuar pa koherencë. Kodi i ri do të mbështetet te Kushtetuta e vitit 1998 dhe do të pasqyrojë realitetet e reja të kriminalitetit dhe integrimit evropian.
Drafti, i hartuar nga një grup ekspertësh të drejtësisë që nga viti 2019, është hapur për konsultim publik dhe pritet të certifikohet në Bruksel, përpara se të miratohet në Kuvend me shumicë të cilësuar. Qëllimi i tij është forcimi i shtetit të së drejtës dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve.