
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një masë të përkohshme që ndalon çdo vendim dhe veprim të deputetëve të Kuvendit pas datës 26 korrik 2025. Masa hyn në fuqi të dielën, më 27 korrik, dhe do të zgjasë deri më 8 gusht 2025.
Ky vendim, i marrë njëzëri nga trupi gjykues, synon të mbrojë rendin kushtetues dhe të garantojë që proceset e formimit të institucioneve paszgjedhore të zhvillohen në përputhje me ligjin. Gjykata paralajmëron se çdo veprim i ndërmarrë nga deputetët pas 26 korrikut mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme” për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve.
Vendimi u mor në lidhje me rastet KO193/25 dhe KO196/25, të parashtruara nga deputetët Memli Krasniqi, Hykmete Bajrami dhe disa deputetë të tjerë, për të kontestuar veprimet e Kuvendit pas afatit 30-ditor të caktuar nga aktgjykimi KO124/25.
Gjykata ka urdhëruar publikimin e vendimit në Gazetën Zyrtare, ndërsa skena politike në Kosovë pritet të tronditet nga kjo ndalesë, e cila pezullon çdo vendim deri në vendimin përfundimtar.