
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Korçë, një hap i cilësuar si strategjik për të forcuar lidhjet me komunitetin maqedonas në Shqipëri. Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, theksoi se ky vendim synon t’i sjellë më pranë qytetarët nga Prespa e Vogël, Pogradeci, Golloborda dhe Gora.
“Është koha t’u afrohemi njerëzve tanë. Nuk mjafton t’i kujdesemi me fjalë, por me vepra konkrete”, tha Mucunski në një mesazh video.
Konsullata e re do të shërbejë si një urë bashkëpunimi për shërbimet konsullore, nxitjen e projekteve ekonomike dhe ruajtjen e lidhjeve kulturore e arsimore. Ajo do të punojë në koordinim të plotë me Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Tiranë.