
U hodhën sot gurthemelët për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës, njëra për automjete dhe këmbësorë dhe tjetra vetëm për këmbësorë. Urat do të ndërtohen rreth 100 metra larg urës ekzistuese, e cila aktualisht ruhet nga pjesëtarë të KFOR-it italian.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, disa ministra të kabinetit qeveritar, si dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Në fjalën e tij, Kurti tha se ndërtimi i këtyre urave simbolizon përkushtimin për bashkëpunim dhe komunikim të lirë ndërmjet veriut dhe jugut të qytetit. Ai theksoi se ura për automjete do të jetë 51 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë, me trotuare në të dy anët, ndërsa ura për këmbësorë do të ketë një gjatësi prej 41 metrash dhe gjerësi 3.7 metra. Me këto dy ura, numri total i urave mbi lumin Ibër në territorin e Kosovës do të arrijë në 37, nga gjithsej 77 që shtrihen nëpër Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.
I pyetur nëse ndërtimi i këtyre urave është bërë në koordinim me Bashkimin Evropian, Kurti theksoi se veprimet e qeverisë janë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe janë ndërmarrë për të mirën e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike. Ai shtoi se “ka kaluar koha e barrikadave” dhe se tani është koha e qarkullimit të lirë dhe bashkëpunimit ndërkomunitar.