
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur për herë të dytë liderët e partive politike për t’u marrë individualisht në një seri takimesh dypalëshe në përpjekje për të zhbllokuar krizën institucionale të krijuar pas dështimit të Kuvendit për t’u konstituuar.
Sipas agjendës së planifikuar, të mërkurën Osmani do të presë përfaqësuesit e subjekteve shqiptare – Albin Kurti, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj. Të enjten janë ftuar liderët e komuniteteve joshumicë. Të gjithë liderët kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Kjo nismë vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kërkuar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve. Megjithatë, vendi mbetet në një bllokadë institucionale të thellë për shkak të mosarritjes së një konsensusi politik për përbërjen e saj.