
Shkrimtarja shqiptaro-amerikane Ledia Xhoga është përfshirë në listën e gjatë të pretendentëve për çmimin prestigjioz “Booker Prize 2025”, me romanin e saj Keqinterpretimi. Ky është një nga vetëm dy romane debutuese që konkurrojnë këtë vit për çmimin me vlerë 67 000 USD, duke shënuar një moment të veçantë për letërsinë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Romani i Xhogës, i vendosur në Nju Jorkun e sotëm, ndjek historinë e një përkthyeseje shqiptare që me ngurrim pranon të përkthejë gjatë seancave terapeutike të Alfredit, një të mbijetuar torture nga Kosova. Vepra është botuar nga Daunt Books Originals dhe ka marrë vlerësime të larta nga kritika për ndjeshmërinë dhe thellësinë emocionale në trajtimin e traumës, identitetit dhe kujtesës.
Përfshirja e Ledia Xhogës në listën e gjatë të “Booker Prize” përfaqëson një arritje të rëndësishme si për autoren, ashtu edhe për letërsinë shqiptare. Juria do të shpallë listën e ngushtë me 6 finalistët më 23 shtator 2025, ndërsa fituesi do të bëhet publik më 10 nëntor në ceremoninë që do të mbahet në Londër.