
Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat po tërheq çdo ditë qindra vizitorë nga mbarë bota, të cilët mahniten nga ikonat e rralla dhe koleksioni unik që ruan ky institucion. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale.
“Onufri” u ofron turistëve një përvojë të pasur shpirtërore dhe artistike, falë audioguidës në disa gjuhë dhe koleksionit të tij të përbërë nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të Beratit.
Veprat e ekspozuara datojnë nga shekulli XIV deri në fillim të shekullit XX dhe janë realizuar nga mjeshtër ikonografë të njohur si Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Adam Kristo.
Kurioziteti i vizitorëve të huaj dhe vendas për këtë trashëgimi të çmuar po rritet çdo ditë, duke e kthyer “Onufrin” në një destinacion kulturor të veçantë në Shqipëri.