
Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se institucionet e sigurisë së vendit kanë marrë masa të menjëhershme për parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm nga ana e Serbisë, pas informacioneve të reja të siguruara në fund të majit.
Në një konferencë për media, Osmani tha se veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën u identifikuan si të rrezikshme, ndërsa paralajmërimet u ndanë edhe me aleatët ndërkombëtarë. Ajo i cilësoi deklaratat e Serbisë si pjesë të një propagande të vazhdueshme, duke përmendur aktet e mëparshme të agresionit si ato të shtatorit 2023.
Osmani theksoi se nuk ka vend për panik dhe se të gjitha institucionet janë mobilizuar për mbrojtjen e vendit. Ajo po ashtu sqaroi qëndrimet e saj të bëra në SHBA për ish-presidentin Donald Trump, duke thënë se nuk ka manipuluar fjalët e tij, por i ka interpretuar sipas mënyrës së vet.