
Tiranë, 10 korrik 2025 – Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka kërkuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisjen e procedurës disiplinore ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, për vendimin e saj për mosfillimin e hetimeve lidhur me ndërtimin e 10 kabinave pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, prokurorja mori vendimin vetëm 48 orë pas kallëzimit, pa kryer asnjë veprim hetimor apo verifikim në terren. Ajo akuzohet për mungesë hetimi të thelluar, referim në ligje të shfuqizuara dhe analizë të mangët të kuadrit ligjor për ndërtimet në zona të mbrojtura.
Ministria e konsideron vendimin si të nxituar dhe në kundërshtim me praktikën e Gjykatës së Lartë, duke theksuar se çështja kërkonte hetim të thelluar për shkak të kompleksitetit dhe rëndësisë së zonës turistike të Thethit.