
Kryeministri Edi Rama propozoi sot një vendim të posaçëm për legalizimin e menjëhershëm të të gjitha strukturave prodhuese në zonat rurale të vendit, në bashkëpunim me bashkitë dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Gjatë përmbylljes së Ditës së Parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Rama theksoi se ky hap do të ndikojë drejtpërdrejt në aksesin e fermerëve në kredi, mbështetje financiare dhe fonde të BE-së.
“Fermerët nuk mund të presin më. Legalizimi i strukturave si stallat apo njësitë e përpunimit është kusht për zhvillimin ekonomik rural”, tha Rama, duke shtuar se të gjitha bashkitë duhet të dërgojnë dokumentacionin përkatës në Kadastrën Shtetërore brenda muajit gusht.
Ai kritikoi burokracinë dhe theksoi nevojën për një qasje proaktive nga administrata publike dhe pushteti vendor: “Nuk është koha për t’u thënë fermerëve që nuk i kanë dokumentet e rregullta. Duhet t’i ndihmojmë, jo t’i pengojmë.”
Kryeministri e konsideroi këtë nismë si hap të domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në vend.