
Romë, 10 korrik 2025 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, që po mbahet në Romë, se Shqipëria do të qëndrojë krah Ukrainës përballë agresionit rus, duke theksuar se vetëm të flasësh për paqen nuk mjafton për t’i dhënë fund luftës.
“Shqipëria është një vend i vogël me burime modeste, por kemi qenë dhe do të jemi aty ku Ukraina ka nevojë për ne”, tha Rama gjatë fjalës së tij të shkurtër. Ai theksoi se paqja nuk duhet të trajtohet si temë dytësore dhe se asnjë vend jashtë kufijve demokratikë nuk duhet të diktojë çfarë është paqja për Evropën.
Rama u shpreh kritik ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke e përshkruar atë si “jo një paqedashës” dhe duke bërë thirrje për një plan të besueshëm për paqe që të mos e lërë Ukrainën vetëm.