
Prishtinë, 14 korrik 2025 – Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtorë ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 ish-zyrtarë të tjerë në rastin “Veteranët”, duke i dënuar secilin me nga një vit burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas gjykatës, veprimet e tyre i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej mbi 88 milionë euro.
Mes të dënuarve janë edhe ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe ish-deputeti Shkumbin Demalijaj. Ndërkaq, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj u shpallën të pafajshëm për mungesë të cilësisë si persona zyrtarë.
Rasti u rikthye në rigjykim pas vendimit të Gjykatës së Apelit në vitin 2022, pasi në 2021 të gjithë të pandehurit ishin shpallur të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së prokurorit Elez Blakaj, të dënuarit kishin shpërdoruar detyrën si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranëve të UÇK-së, duke mundësuar përfitime të jashtëligjshme për mbi 19 mijë persona.