
MITROVICË E VERIUT, 8 korrik – Qytetarë serbë në Mitrovicën e Veriut janë mbledhur sot për të firmosur një peticion kundër ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër, projekt i qeverisë së Kosovës i prezantuar nga kryeministri Albin Kurti më 1 korrik.
Lista Serbe, organizatore e peticionit, e cilësoi projektin “aventurë politike” të qeverisë Kurti dhe akuzoi Prishtinën për përpjekje për të fituar kapital politik mbi kurrizin e komunitetit serb. Peticioni nuk do t’i drejtohet autoriteteve vendore, por përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë.
Kurti ka deklaruar se urat synojnë të lidhin qytetarët e dy anëve të Mitrovicës dhe të çelin rrugën për hapjen e urës kryesore të qytetit, e cila aktualisht qëndron e mbyllur për automjetet dhe patrullohet nga KFOR-i. Lista Serbe kundërshton ashpër këtë hap, duke paralajmëruar rritje tensionesh në veri.