
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka njoftuar ndërtimin e një rruge të re strategjike që do të lidhë qarkun e Shkodrës me Kukësin, përmes zonave malore të Thethit, Nikaj-Mërturit dhe Tropojës, duke krijuar lidhje të drejtpërdrejta me Gjakovën në Kosovë.
Segmenti prej 13.4 kilometrash, që kalon në territorin e njësisë Shalë, përfshin aksin Lekaj – Abat – Pecaj – Qafa e Ndërnajes. Sipas Becit, rruga do të shkurtuar ndjeshëm distancat mes qendrave alpine dhe do të lidhë mbi 380 struktura pritëse turistike.
Iniciativa është pjesë e bashkëpunimit mes Bashkisë Shkodër dhe Qeverisë shqiptare, me financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ky investim synon të forcojë bashkëpunimin rajonal, të nxisë kthimin e emigrantëve dhe të rigjallërojë ekonominë e zonave të thella të veriut.