
Prokuroria e Posaçme ka realizuar sot, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, operacionin “Pandora”, i cili çoi në goditjen e një grupi kriminal të specializuar në mashtrime kompjuterike përmes call center-i në Tiranë. Skema kishte si viktima kryesisht shtetas gjermanë, por edhe persona nga vende të tjera evropiane.
Gjatë operacionit u zbatuan 8 urdhëra arresti, prej të cilëve 5 me burg dhe 3 me arrest shtëpie. Të enjten, më 31 korrik, u arrestuan 6 persona (pesë meshkuj dhe një grua, të moshave 21–36 vjeç), ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim. Sipas SPAK-ut, mashtruesit paraqiteshin si oficerë policie dhe premtonin hetime për humbje në Forex dhe kriptovaluta.
Hetimi ndërkombëtar zgjati nga dhjetori 2023 deri në korrik 2025 dhe u zhvillua paralelisht në Shqipëri dhe Gjermani. Autoritetet njoftojnë se të dhënat u mbledhën përmes mbi 20 telefonatash mashtruese në ditë, duke krijuar një “kundër-qendër thirrjesh” për të kapur në kohë reale komunikimin dhe për të shmangur humbjet në masën 10 milionë euro.
Qëllimi i operacionit nuk ishte vetëm arrestimi i personave, por edhe shkatërrimi i plotë i strukturës kriminale që operonte në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Liban, Kosovë dhe Serbi. Autoritetet po vijojnë hetimet për pjesën tjetër të rrjetit dhe bashkëpunëtorët e mundshëm në këto vende.