
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku, prezantoi të enjten raportin vjetor të këshillit për vitin 2024, duke kritikuar ashpër qeverinë për ngecjen e procesit të integrimit në BE dhe përjashtimin e opozitës nga reformat.
Tabaku tha se Shqipëria nisi negociatat me BE-në për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe jo në bazë të meritës, duke theksuar se mundësia nuk u shfrytëzua për reforma të thella. Ajo akuzoi mazhorancën për krijimin e një komisioni ad-hoc që, sipas saj, ka shërbyer si instrument i njëanshëm për përqendrimin e pushtetit.
Sipas Tabakut, mazhoranca ka bojkotuar Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe ka ngritur një institucion paralel që funksionon pa transparencë dhe pa përfshirjen e opozitës, ndërkohë që po avancon me ndryshime ligjore thelbësore pa konsultime publike.
Deputetja e PD-së theksoi se asnjëherë opozita nuk ka qenë pengesë për integrimin dhe se bllokimi ka ardhur nga qeveria, duke përmendur proceset jodemokratike, mospërmbushjen e detyrave dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim, deputetja demokrate u shpreh se Kuvendi mbyll legjislaturën me numrin më të lartë të detyravimeve të papërmbushura, duke e cilësuar atë si institucionin më të dobët në zbatimin e reformave evropiane.