
Uashington, 14 korrik 2025 – Presidenti amerikan Donald Trump pritet të shpallë sot një plan të ri për furnizimin e Ukrainës me armë ofensive, përfshirë raketa Patriot, në një ndryshim të dukshëm të pozicionit të tij ndaj luftës në Ukrainë, raportoi Axios duke cituar dy zyrtarë të administratës.
“Do t’u dërgojmë raketa Patriot, të cilat u duhen në mënyrë urgjente,” tha Trump, duke theksuar se ndihma do të vijë përmes vendeve anëtare të NATO-s dhe se “do të paguhet 100%”.
Ky vendim vjen vetëm pak javë pasi SHBA pezulloi disa dërgesa armësh për të ruajtur rezervat kombëtare.
Trump tha gjithashtu se është i “zhgënjyer” nga Vladimir Putin, duke e akuzuar për sjellje kontradiktore: “Flet bukur ditën, bombardon natën.”
I dërguari i posaçëm për Ukrainën, Keith Kellogg, ndodhet sot në Kiev, ndërsa Trump planifikon një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku pritet një “njoftim i rëndësishëm për Rusinë”.