
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bëri sot thirrje për ndalimin e bllokadave të planifikuara nga protestuesit në disa qytete të mëdha, përfshirë Beogradin.
Në një video-mesazh të publikuar në Instagram, Vuçiç paralajmëroi për pasojat e mundshme të këtyre protestave, duke i cilësuar ato si rrezik për sigurinë dhe një shkelje të lirive kushtetuese. “Ata duan të bllokojnë rrugët dhe të prishin jetën e përditshme të njerëzve,” tha ai, duke u bërë apel protestuesve të mos kufizojnë lirinë e lëvizjes.
Ai theksoi se bllokadat përbëjnë shkelje të ligjeve të sigurisë rrugore dhe të kushtetutës dhe i cilësoi si “vëprat të rënda penale”. Vuçiç siguroi se autoritetet nuk duan të përdorin forcën, por shteti nuk do të tolerojë dhunën.
Bllokadat janë paralajmëruar të nisin më 4 korrik në orën 07:00 në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë. Protestuesit janë të vendosur të vazhdojnë me aksionet e tyre, pavarësisht paralajmërimeve nga presidenti.
Vuçiç përmbylli deklaratën e tij duke theksuar se “Serbia është një shtet serioz dhe i përgjegjshëm” dhe do të mbetet e tillë përballë çdo sfide.