
Pas gjashtë ditësh përballje intensive, zjarri në landfillin e Elbasanit është thuajse i shuar, njoftuan sot autoritetet vendore. Sipas zjarrfikësve, 95% e vatrës është izoluar, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet nga avuj dhe gazra të mbetura nga materialet e djegura dhe uji i përdorur për fikje.
Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, deklaroi se situata është nën kontroll dhe falënderoi të gjitha strukturat e angazhuara në operacion. “Është një betejë që po e fitojmë bashkërisht,” u shpreh ai, duke theksuar bashkëpunimin mes zjarrfikësve vendorë, forcave të ushtrisë, emergjencave civile dhe kompanive private.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, e cilësoi ndërhyrjen si një nga më të vështirat e dekadës së fundit, për shkak të natyrës së materialeve të djegshme. “Ky zjarr është tani i menaxhueshëm,” tha Cara, duke theksuar rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm dhe ndërhyrjes së shpejtë për çdo vatër të re.
Autoritetet kanë nisur edhe punimet për kapsulimin e mbetjeve të ekspozuara dhe kanë bërë thirrje për kujdes maksimal për të shmangur zjarrvëniet e pakujdesshme.