
Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar krijimin e trupave gjykuese të pavarura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke akuzuar këtë institucion për fshehje të krimeve të vetë prokurorëve të tij.
“Çdo gjykatë nën kontrollin e prokurorit që çon dosjen, ka të njëjtin trajtim nga ne. Zgjidhja është të krijohen trupa jashtë kontrollit të tyre,” tha Berisha, duke paralajmëruar se kjo çështje do të shtrohet në Këshillin e Europës dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Deklarata u bë pas përmbushjes së detyrimit të paraqitjes në SPAK. I pyetur mbi vendimin e Gjykatës së Strasburgut që e cilëson “21 Janarin” si krim shtetëror, Berisha e pranoi ngjarjen si të tillë, por “pa dashje”.
“Vrasjet nuk ishin qëllim. U kryen nga armët e shtetit, por pa urdhër dhe si pasojë e përplasjes,” tha Berisha, duke përsëritur akuzat ndaj Edi Ramës si organizator i protestës së dhunshme të asaj dite.