
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh të martën kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke marrë 73 vota pro, 30 kundër dhe tri abstenime.
Zgjedhja e tij i jep fund ngërçit disa mujor për konstituimin e Kuvendit dhe hap rrugën për formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Basha, i lindur në Prishtinë në vitin 1979, ka studiuar në SHBA, ku është diplomuar në “John Jay College” për të drejtë penale ndërkombëtare dhe ka përfunduar master në marrëdhënie ndërkombëtare. Në Kuvend ka shërbyer tri mandate, duke qenë anëtar i disa komisioneve parlamentare.
PDK fillimisht kundërshtoi kandidaturën e tij, por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i obligoi deputetët të votonin hapur, Basha arriti të sigurojë shumicën e nevojshme.
Partitë politike nuk kanë arritur ende marrëveshje për formimin e qeverisë, pasi asnjëra nuk ka shumicën e plotë. Vetëvendosje ka 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, Lista Serbe 9, AAK–Nisma 8 dhe pakicat 11.