
Eksportet bujqësore shqiptare u rritën me 10% në periudhën janar–qershor 2025, krahasuar me një vit më parë, bëri të ditur ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj.
Gjatë kësaj periudhe u eksportuan 265,906 tonë produkte bujqësore, nga 242,656 tonë vitin e kaluar. Denaj tha se rritja tregon forcimin e sektorit, përmirësimin e standardeve dhe konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
“Prodhimet ‘Made in Albania’ po depërtojnë në tregjet elitare ndërkombëtare falë cilësisë që garanton fermeri vendas dhe toka shqiptare”, tha ajo.
Ministrja shtoi se kjo dinamikë na afron me objektivin prej 1 miliard euro eksporte bujqësore brenda kësaj dekade, mbështetur nga politikat nxitëse dhe investimet për fermerët.