
Tarifat e reja të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump hynë sot në fuqi, duke rritur ndjeshëm barrën mbi importet nga dhjetëra vende dhe duke përshkallëzuar tensionet tregtare globale.
Çdo mall i importuar në SHBA nga 39 vende, përfshirë anëtarët e Bashkimit Evropian, i nënshtrohet një tarife minimale prej 10%. Por tarifat variojnë sipas vendit të origjinës.
Tarifat më të larta përfshijnë: Brazilin (50%), Laosin dhe Mianmarin (40%), Zvicrën (39%), si dhe Irakun dhe Serbinë (35%).
Ndër 21 vendet me tarifa mbi 15% janë India (25%), Vietnami (20%), Tajvani (20%) dhe Tajlanda (19%).
Sipas një urdhri të ri ekzekutiv të nënshkruar të mërkurën, mallrat nga India do t’i nënshtrohen një tarife shtesë prej 25% nga 27 gushti, si masë ndëshkuese për blerjen e naftës nga Rusia.
Sipas listës së publikuar nga Shtëpia e Bardhë, vetëm Kanadaja dhe Meksika përjashtohen nga tarifat, për aq kohë sa respektojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë të rajonit. Përndryshe, mallrat nga Meksika do të tarifohen me 25%, ndërsa ato nga Kanadaja me 35%, një rritje nga niveli i mëparshëm prej 25%.