
Policia Metropolitane në Londër ka rihapur hetimet për gjetjen e Ilir Kumbaros, ish-zyrtar i lartë i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), i zhdukur prej vitit 2011.
Kumbaro, sot 70 vjeç, u arrestua në Londër në vitin 2008 me qëllim ekstradimi në Shqipëri për përfshirje në rrëmbimin dhe torturimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Ai u lirua me kusht por nuk u paraqit më në gjykatë dhe u shpall në kërkim.
Apeli i fundit i policisë britanike, i siguruar nga Top Channel, përfshin edhe një fotografi të vitit 2008 të Kumbaros gjatë arrestimit. Sipas autoriteteve, ai theu kushtet e lirimit dhe mbetet i zhdukur që prej dhjetorit 2011, ditën kur pritej vendimi i ekstradimit.
Në vitin 2012, një gjykatë shqiptare e dënoi në mungesë me 15 vjet burg për rrëmbim dhe torturë. Trupi i viktimës nuk u gjet kurrë.
Remzi Hoxha u rrëmbye më 21 tetor 1995 nga zyrtarë të SHIK në Tiranë. Ai u transportua në një bazë të shërbimit në Lezhë ku dyshohet se u torturua deri në vdekje.
Hetimi është përballur me vështirësi, përfshirë vdekjen e disa figurave kyçe si prokurorë, dëshmitarë dhe vetë avokati mbrojtës i Kumbaros.
Policia britanike kërkon informacion nga publiku mbi vendndodhjen e tij. Ende nuk është e qartë nëse ai ka lënë Mbretërinë e Bashkuar apo fshihet brenda saj.