
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënoi deklaratat e fundit nga subjekte publike e private ndaj gjyqtarëve, duke i cilësuar cënim të figurës, dinjitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit.
Në deklaratën zyrtare theksohet se gjyqtarët janë garantues të barazisë para ligjit dhe duhet të veprojnë të lirë nga çdo ndikim, të udhëhequr vetëm nga Kushtetuta dhe ligjet. Ndarja dhe balancimi i pushteteve cilësohen parim themelor.
KLGJ u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë pavarësinë gjyqësore. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim është ajo ligjore: ankimet në shkallë më të lartë.
Çdo pretendim për sjellje apo integritet të gjyqtarëve, sipas Këshillit, duhet të adresohet pranë institucioneve kompetente.
Në mbyllje, KLGJ shpreh mbështetjen për gjyqtarët dhe i inkurajon të ushtrojnë funksionin me përgjegjësi e pavarësi. Sipas Këshillit, një gjyqësor i pavarur garanton drejtësi efektive, fiton besimin e publikut dhe forcon rrugëtimin drejt integrimit europian.