
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha në hapje të edicionit të 8-të të Konferencës së Ambasadorëve se përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës mbeten kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. Ai akuzoi Beogradin se po shpenzon miliona euro për lobim dhe propagandë globale me “mesazhe të rreme” kundër Kosovës.
Kurti theksoi se Kosova ka sot rrjetin diplomatik më të gjerë në historinë e saj: 34 ambasada, 12 konsullata të përgjithshme, 4 konsullata të posaçme dhe 1 zyrë ndërlidhëse, nga rajoni deri në Australi, Japoni, Panama dhe Senegal.
Ai u kërkoi misioneve që të veprojnë të harmonizuara me Ministrinë në Prishtinë, “si një kor i vetëm”, për të shtyrë përpara interesat e Kosovës dhe për të përballuar fushatat dezinformuese.