
Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të fillojë paraqitjen e provave në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Në sallë ishin të pranishëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ndërsa Jakup Krasniqi e ndoqi seancën përmes video-lidhjes.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, tha se synon të mbyllë dëshmitarët dhe provat deri në fund të tetorit, ndërsa mbrojtja njoftoi se do të thërrasë edhe dëshmitarë nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, përfshirë figura të njohura politike, për të paraqitur informacione shfajësuese.
Gjykata llogarit se procesi i dëshmive të mbrojtjes mund të zgjasë deri në dhjetor, duke marrë parasysh kohën e nevojshme për dëshmitarët, kundërpyetjet dhe procedurat.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por ata janë deklaruar të pafajshëm. Procesi nisi në prill 2023, pas dy vitesh dëgjime nga prokuroria, që thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti rreth 3.000 prova materiale.