
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Polonia u bëri thirrje partive politike që të lënë mënjanë ndasitë dhe të formojnë një koalicion shumice, duke paralajmëruar se vendi po humb projekte të BE-së dhe mundësi bashkëpunimi me administratën e re të SHBA-së.
Ajo tha se Kosova është 100% e përafruar me politikat e BE-së, ndërsa kritikoi faktin që Serbia ecën përpara drejt anëtarësimit pavarësisht se nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe është vetëm 40% në linjë me BE-në.
Osmani theksoi se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s dhe se nuk pranon ndikim rus, kinez apo iranian në rajon. Ajo akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq se vazhdon të përdorë propagandën dhe tensionet me Kosovën për të mbuluar problemet e brendshme të Serbisë.
Sipas saj, Kosova ka bërë reformat e nevojshme, por mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për BE. “Nuk kemi luksin e Belgjikës të presim me muaj pa qeveri. Bota nuk na pret, dritaret e mundësive janë të pakta”, tha Osmani.