
Qindra qytetarë protestuan të mërkurën në Prishtinë kundër procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë si të padrejtë.
Tubimi u organizua nga organizatat e dala nga lufta dhe u zhvillua në sheshin Skënderbeu me moton “Kundër padrejtësisë”. Pjesëmarrësit erdhën nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit.
Turmës iu drejtuan kreu i OVL-UÇK-së Hysni Gucati, lideri i BDI-së në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti dhe ish-hulumtuesja e Tribunalit të Hagës, Nevenka Tromp.
Protesta u mbështet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike. Lëvizja Vetëvendosje tha se protesta “është e vonuar dhjetë vjet”.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohet procesi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit – akuza që i kanë mohuar.
Veteranët kanë kritikuar jo vetëm gjykimin, por edhe mungesën e mbështetjes nga qeveria. Ministria e Drejtësisë ka ndarë 33 milionë euro për mbrojtjen ligjore të të akuzuarve.