
Një shpërthim në një kabinë elektrike në lagjen “Çlirimi” në Lushnje rreth orës 21:00 shkaktoi panik dhe asfiksi për dhjetëra banorë të një pallati 15-katësh. Tre prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë.
Sipas policisë dhe zjarrfikëses, një mbingarkesë në rrjetin elektrik ndezi linjat dhe kabllot e pallatit, duke gjeneruar tym të dendur që bllokoi hyrje-daljet dhe pengoi evakuimin në katet e sipërme.
Zjarrfikësit arritën të lokalizojnë flakët përpara se të prekeshin strukturat e ndërtesës, ndërsa ndërhynë derë më derë për të shpëtuar banorët. Dhjetë persona u dërguan në spital, mes tyre dy të moshuar dhe një shtetas afrikan që mbahen nën kujdes për shkak të asfiksisë dhe ankthit.
Energjia elektrike u ndërpre menjëherë, ndërsa policia ngriti perimetër sigurie dhe bllokoi hyrjen e banorëve deri në normalizimin e situatës. Autoritetet thanë se kthimi në apartamente do të lejohet vetëm pasi të garantohet se rreziku është zhdukur plotësisht.