
Zjarret e fuqishme kanë detyruar evakuimin e qindra banorëve dhe kanë djegur banesa e stalla bagëtish. Deri në mbrëmje të 12 gushtit u raportuan 34 vatra, prej të cilave 27 aktive dhe 7 nën monitorim, me situatën më të rëndë në jug.
Në qarkun Vlorë, zjarret në Delvinë, Dropull, Parkun “Rëzom”, Orikum dhe qytetin e Vlorës rrezikojnë zona të banuara e të mbrojtura; evakuimet po vijojnë në fshatra të prekura. Në terren veprojnë zjarrfikësit vendas dhe ndërhyrja nga ajri me një helikopter të FA, dy avionë grekë PZL, si dhe mjete nga Çekia e Sllovakia.
Poliçani mbetet kritik, me riaktivizime në Rehovë dhe përhapje drejt Vokopolës, Zhapokikës, Plashnikut, Panaritit dhe rezervatit “Balloll”; në disa zona banorët u evakuuan dhe kërkohet mbështetje shtesë nga ajri.
Vatra të mëdha raportohen në Dibër (Ternovë, Biz) dhe në periferi të Tiranës (Spanesh, Ferraj, Zall-Herr, Vaqarr–Pezë Helmës), me evakuime të lokalizuara. Në Gjirokastër (Hormovë, Koshtan, Turan) janë dëmtuar banesa e stalla; Gramshi ka bllokime rrugësh dhe strehim emergjent. Zjarre e monitorim ka edhe në Shkodër, Kukës, Korçë, Fier e Lushnjë.